
Sejnur Veshall: Kur stereotipi përsëritet pa u sfiduar, heshtja bëhet bashkëfajësi
Këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, Sejnur Veshall, ka reaguar ndaj emisionit satirik “Logjikonomia”, duke e kritikuar për mënyrën se si, sipas tij, paraqiten romët dhe stereotipet që përsëriten në diskursin publik.
Në një reagim publik, Veshall tha se përmes këtij emisioni vazhdon të ndërtohet i njëjti imazh për romët, duke i reduktuar ata në një diskurs të dobët të gjuhës shqipe dhe në paraqitje të caktuara vizuale.
“Në këtë emision satirik, komedia nuk e trazon mendimin, por e rehaton. Ajo rrëshqet në një sipërfaqe ku stereotipi nuk sfidohet, por riciklohet”, ka shkruar ai.
Sipas Veshallit, narrativa të tilla nuk janë vetëm humor, por mënyra të të menduarit që e vendosin tjetrin në pozitë pritjeje dhe pranimi të kushtëzuar.
Ai gjithashtu ka ngritur pyetje për përfaqësimin e romëve në teatër, duke theksuar se teatri rom ka bashkëpunuar me profesorë dhe artistë të ndryshëm.
“Problemi nuk qëndron te satira si formë. Satira është e domosdoshme pikërisht sepse duhet me e shqetësu të zakonshmen, por kur ajo nuk e çliron mendimin dhe nuk e çmonton perceptimin, atëherë nuk është më kritikë, por mekanizëm që riprodhon të njëjtën mendësi”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Veshall ka bërë edhe një koment ironik për veshjen në emision: “Dhe sinqerisht, ju lutem, ndërroni ato veshje. Janë demode.”



