Shqipëria ka kërkuar hapjen e një konsullate në Luginë, e Serbia në Shkodër

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka konfirmuar se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginë të Preshevës dhe Serbia nga ana e saj ka këkruar një të tillë në Shkodër.

Hoxha ka thënë se ende s’ka dakordancë për këtë por kur të ketë “në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse.

banner

Ministri Hoxha shtoi se reciprociteti në këtë rast nuk nënkupton domosdoshmërisht barazi në përmbajtje a objektiva dhe se politika e jashtme e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi emocione apo përceptime.

“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një #Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e #Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse. Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare”, ka shkruar ministri Hoxha në “X”.

Ai ka shtuar se synimi i Shqipërisë është të krijojë prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës dhe se e kanë parë si mundësi për të qenë më pranë shqiptarëve atje.

“Është e çuditshme, madje e vështirë për t’u kuptuar, që shumë prej reagimeve zgjedhin të anashkalojnë pikërisht atë që është thelbësore: interesin e #Shqipërisë dhe përfitimin konkret që sjell krijimi i një pranie të përhershme konsullore shqiptare në Luginën e Preshevës. Në vend që vëmendja të përqendrohet te mbështetja që kjo përfaqësi do t’u ofrojë shqiptarëve që jetojnë atje, te forcimi i lidhjeve të tyre me Shqipërinë dhe te mbështetja më e mirë e të drejtave dhe interesave të tyre legjitime, debati zhvendoset tek hamendësimet mbi interesat e supozuara të palës tjetër”, ka thënë tutje Hoxha.

Paraprakisht, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se kanë arritur marrëveshje në parim me Shqipërinë për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc. Ai ka thënë gjithashtu se ka qenë i kënaqur me bisedimet që ka zhvilluar me ministrin Hoxha.

Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, para se të konfirmohej nga Hoxha, ka shpresuar që ky lajm të mos jetë i vërtetë, e në rast se po, e ka cilësuar si vendim të gabuar strategjik e politik.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.