
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas incidentit në kufi, duke akuzuar Serbinë për veprime të dhunshme dhe propagandë kundër qytetarëve që kundërshtojnë regjimin e Aleksandar Vuçiqit. Ajo u ka bërë thirrje shteteve demokratike të reagojnë dhe të ndalojnë provokimet serbe.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas rastit ku një qytetar serb i Kosovës dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga forcat serbe në zonën kufitare me Serbinë. Ajo ka thënë se ky veprim është një tjetër dëshmi e politikës hegjemoniste të Beogradit.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, ky rast tregon qartë se regjimi i Aleksandar Vuçiqit synon të frikësojë dhe të ndëshkojë çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën për politikën autokratike të Serbisë.
“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, ka shtuar Presidentja Osmani.



