
Çitaku thotë se gara e brendshme mirëpritet dhe se prioritet mbetet unifikimi i PDK-së dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i është përgjigjur kërkesës së anëtarit të Kryesisë, Enver Hoxhaj, i cili kërkoi shtyrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të partisë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit. Hoxhaj kishte argumentuar se një parti serioze nuk mund të organizojë një konventë politike në një kohë kaq të shkurtër.
Por, Çitaku thekson se neni 35 i Statutit të PDK-së është i qartë: në rast dorëheqjeje të kryetarit, Konventa e Jashtëzakonshme duhet të thirret brenda pesë ditësh. Ajo tha për KosovaPress se vendimi i Kryesisë për ta mbajtur Konventën më 17 nëntor është në përputhje të plotë me statutin.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kushtet është i mirëseardhur të kandidojë”, u shpreh Çitaku.
Ndërkohë, Enver Hoxhaj kishte deklaruar një ditë më parë se PDK-ja ka nevojë për “drejtim të ri dhe vizion të ri”, duke kërkuar shtyrjen e Konventës. Megjithatë, qëndrimi i Çitakut mbetet se procesi duhet të vijojë sipas statutit.
Ajo shtoi se, pavarësisht garës së brendshme, më e rëndësishme është që PDK-ja të dalë e unifikuar dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Për secilin prej nesh është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të bashkuar. Gara e brendshme është e rëndësishme, por më e rëndësishme është fitorja në zgjedhjet parlamentare dhe ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.
Deri tani, kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së e ka shpallur ish-kandidati për kryeministër, Bedri Hamza.
Memli Krasniqi dha dorëheqje më 12 nëntor, tre ditë pas zgjedhjeve lokale, duke theksuar se Hamza është preferenca e tij për ta udhëhequr partinë.



