
Vlora Çitaku thotë se PDK ka paraqitur dëshmi për parregullësi në Mitrovicën e Jugut dhe do të vazhdojë betejën ligjore.
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot refuzoi ankesën e këtij subjekti lidhur me pretendentet për parregullsi në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka shprehur “zhgënjimin e thellë” të partisë me këtë vendim, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të pabazuar në realitetin e zhvillimeve gjatë zgjedhjeve në këtë komunë.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo njoftoi se partia do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë që ofron Republika e Kosovës, duke paralajmëruar se hapi i radhës do të jetë paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme – instanca përfundimtare në çështjet zgjedhore.
Sipas Çitakut, PDK mbetet e përkushtuar në mbrojtje të votës së lirë dhe integritetit të procesit zgjedhor. “Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund”, është shprehur ajo.



