Von der Leyen: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të enjten në Prishtinë se aktgjykimi dënues i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duhet të respektohet plotësisht, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.

Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.

Von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në Kosovë, tha se “ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”.

“Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, shtoi ajo.

Von der Leyen u prit me protesta më të mbërritur në aeroportin e Prishtinës, ku një grup të rinjsh mbajtën pankarta kundër vendimit të Dhomave të Specializuara./REL

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.