
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë javë po zhvillon vizitë në Ballkanin Perëndimor, sot do të qëndrojë në Kosovë.
Ajo do të pritet në takim nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu si dhe nga kryeministri Albin Kurti.
Takimin me Haxhiun zhvillohet në orën 12:30 ndërkohë që me Kurtin 13:00.
Pas takimit me Kurtin është paralajmëruar se do të mbahet konferencë për media.
Turneun e saj në rajon, Von der Layen e ka nisur të mërkurën (dje) në Tiranë ku ka takuar presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Pas Kosovës, po të enjten, Von der Leyen do të qëndrojë edhe në Podgoricë, kurse më 2 tetor në Shkup.
Gjatë këtij turneu do ta evitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Zyrtarisht është thënë se arsyeja për të shmangur vizitat në Beograd dhe Sarajevë është fushata zgjedhore në ato dy vende. Por, nga burimet e BE-së mësohet se edhe glorifikimi i kriminelit Ratko Mlladiq ka pasur ndikim në këtë vendim.
Gjatë këtij udhëtimi, presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, pritet të përsëritë mbështetjen e Komisionit Evropian për procesin e zgjerimit dhe për progresin e vendeve të rajonit në rrugën e tyre evropiane.



