
Diplomati amerikan thotë se liderët kosovarë po mbahen në paraburgim pa prova dhe e cilëson gjyqin si “një fjasko të madhe”.
Diplomati amerikan, William Walker, e ka cilësuar si shkelje të së drejtës procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një deklaratë për A2 CNN, Walker tha se liderët kosovarë po mbahen në paraburgim prej vitesh pa, sipas tij, prova të mjaftueshme që vërtetojnë akuzat për krime lufte pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s.
“E shoh këtë proces që po ndodh në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë mbi 10 vite që të jetë një shkelje e së drejtës. Kështu që procesi në Hagë për mendimin tim është padrejtësia që rrjedh nga një tentativë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë përgjegjës për ato ngjarje”, deklaroi Walker.
Ai shtoi se nuk ka parë prova që ish-drejtuesit e UÇK-së kanë kryer krime pas bombardimeve dhe theksoi se hetimet dhe procesi gjyqësor kanë zgjatur për më shumë se një dekadë. Sipas tij, paraburgimi disa-vjeçar i të akuzuarve, përfshirë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, pa një vendim përfundimtar, është i papranueshëm.
“Nuk kam dëgjuar kurrë njerëz që të akuzohen për një krim dhe të mos provohen fajtorë dhe të mbahen të ndaluar pa pasur akses te bota e jashtme për pothuajse katër vite. E shoh të gjithë këtë gjyq si një fjasko të madhe”, u shpreh Walker.



