
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Xhelal Svrçla, ka reaguar ashpër ndaj incidentit të fundit në kufi, ku sipas tij, forcat serbe kanë plagosur dhe rrëmbyer një shtetas kosovar në zonën -0-, duke e quajtur këtë veprim një akt të përsëritur agresioni nga Serbia.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Xhelal Svrçla, ka reaguar përmes një deklarate lidhur me incidentin e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku sipas tij, forcat serbe kanë plagosur dhe rrëmbyer një qytetar të Republikës së Kosovës me inicialet M.V.
“Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it”, ka shkruar Svrçla.
Ai ka shtuar se ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar nga autoritetet ndërkombëtare, duke kujtuar se dy vite më parë njësi speciale të Serbisë kishin hyrë në territorin e Kosovës dhe kishin rrëmbyer tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ngjarje që sipas tij parapriu sulmin terrorist në Banjskë.
Svrçla ka akuzuar Serbinë për një “politikë të vazhdueshme terrori dhe dhune” ndaj qytetarëve që nuk pajtohen me regjimin e Aleksandër Vuçiqit, duke theksuar se kjo qasje është “agresive, provokuese dhe e papranueshme”.
“Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, ka përfunduar Svrçla.



