Krasniqi: Ato që u thënë në mbledhjen e qeverisë do të bëhen më mirë e më shpejt me një qeveri pa Kurtin

Memli Krasniqi kritikon Qeverinë në detyrë, duke thënë se vendimet e buxhetit nuk mund të rikthejnë besimin e qytetarëve dhe nuk duhet shfrytëzuar për qëllime elektorale.

Pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar duke thënë se ky vendim nuk mund të përdoret për blerje votash në balotazh apo për zgjedhjet parlamentare.

“Krejt thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur te qytetarët e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare”, ka shkruar Krasniqi në rrjetet sociale.

Ai ka shtuar se ato që u thanë në mbledhjen e Qeverisë në detyrë do të realizohen më mirë e më shpejt me një qeveri tjetër, pa Vetëvendosjen dhe pa Albin Kurtin:

“Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”

Ky reagim vjen menjëherë pas vendimeve të Qeverisë që përfshijnë përmirësime sociale si rritja e pensioneve dhe pagës minimale, dhënia e pagës së 13-të për sektorin publik dhe shtesa më të larta për fëmijët, të cilat Qeveria i ka prezantuar si masa për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Back to top button