
Sipas Milazim Krasniqit, edhe votuesit brenda vendit e kanë të vështirë të përzgjedhin emra nga listat zgjedhore, ndërsa për mërgimtarët dilema është edhe më e madhe.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si votojnë qytetarët, veçanërisht ata që jetojnë jashtë vendit, përballë listave të gjata të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, edhe votuesit që jetojnë në vend hasin vështirësi në përzgjedhjen e dhjetë emrave nga listat e një partie politike, për shkak se nuk i njohin mjaftueshëm kandidatët.
“Edhe ne që jetojmë këtu kemi vështirësi t’i zgjedhim dhjetë emra për deputet, sepse mund të mos njohim aq kandidatë në listë. Po ata që jetojnë jashtë e nuk e njohin gati asnjërin, si ia bëjnë? Qysh i zgjedhin emrat që i votojnë?”, shprehet Krasniqi.
Ai thekson se kjo situatë e bën procesin e votimit edhe më kompleks për diasporën dhe ngre dyshime mbi mënyrën se si bëhet zgjedhja e kandidatëve. “Më duket interesante. Mërgimtarin e parë që ta takoj, do ta pyes si e ka bërë zgjedhjen e kandidatëve”, shton profesori.
Sipas Krasniqit, kjo çështje mund të shërbejë edhe si temë për reflektim publik dhe akademik, duke sugjeruar një ese me titull simbolik: “Si votohet qorraz, me sy në ballë.”



