Enver Robelli për Edi Ramën: Nuk i ndihmojnë më as çorapët lara-lara

Gazetari përshkruan një qeveri në panik, institucione të kapura dhe mungesë opozite reale në Shqipëri.

Analisti dhe publicisti Enver Robelli ka publikuar një analizë të ashpër ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ka ardhur momenti kur as imazhi publik, as retorika patriotike dhe as projektet pompoze nuk mjaftojnë më për të mbuluar krizën e thellë politike dhe morale në vend.

banner

Sipas Robellit, as “çorapët lara-lara”, as fjalimet, as samitet madhështore, as projektet simbolike dhe as propaganda për suksese të pandalshme nuk mund ta fshehin realitetin, ku edhe një fitore e katërt elektorale “më shumë i ngjan mallkimit sesa bekimit”.

Ai përshkruan një situatë të rëndë politike, me ministra në burg, ministra në arrati apo në pritje të arrestimit, si dhe me figura të afërta me pushtetin të lidhura me krimin e organizuar dhe të futura në lista të zeza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Robelli flet për institucione të kapura, për polici të ndikuar nga krimi dhe për zyrtarë që qeverisjen e shohin vetëm si mundësi për përfitime personale.

“Në këtë situatë kemi një qeveri në panik dhe një parti në pushtet të nënshtruar nga frika e shembjes”, shkruan ai, duke shtuar se deputetët kanë humbur kurajën për të kundërshtuar manipulimet, keqpërdorimet dhe krimet.

Robelli ndalet edhe te luksi ekstrem i njerëzve të afërt me pushtetin, duke përmendur raste ku, sipas dyshimeve, janë grumbulluar pasuri marramendëse në mënyrë të paligjshme, përfshirë edhe produkte luksoze të futura pa paguar doganë.

Sipas tij, në çdo vend me demokraci funksionale dhe shoqëri aktive, një qeveri e tillë do të binte brenda një jave. Në Shqipëri, thotë Robelli, kjo mbetet e pamundur për shkak të mungesës së një opozite serioze, e cila, sipas tij, mbahet peng nga interesa personale dhe probleme me drejtësinë.

“Kështu, qeveria sot ka më shumë frikë nga kullat prej letre që ka ndërtuar vetë sesa nga një opozitë e hutuar dhe e humbur”, përfundon Robelli.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.