
Kryetari i LDK-së thotë se partia ka nisur si lëvizje gjithëpopullore dhe ka qenë e lidhur me proceset kryesore historike të vendit.
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për rolin dhe historinë e partisë me rastin e 36-vjetorit të themelimit të saj, duke theksuar se LDK-ja është e lidhur ngushtë me rrugëtimin historik të popullit të Kosovës.
I ftuar në emisionin Pressing në T7, Abdixhiku tha se LDK-ja nga fillimi ka qenë një lëvizje e gjerë shoqërore dhe politike. Sipas tij, historia e partisë përfshin periudhën nga rënia e ish-Jugosllavisë deri te proceset që çuan në liri dhe shtetformim.
“Në shënim të përvjetorit urojmë gjithë popullin e Kosovës, sepse LDK në fillimet e veta ka nisur si lëvizje e popullit të Kosovës dhe vazhdon të identifikohet me gjithë historikun e saj me popullin e Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Ai përmendi gjithashtu parimet mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja që nga themelimi, duke përmendur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë si shtylla kryesore të veprimtarisë së saj politike.



