Britania e Madhe thërret të ngarkuarin me punë të Serbisë pas funeralit të Mlladiqit: Glorifikimi i kriminelit të luftës nxit përçarje

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka thirrur sot të ngarkuarin me punë të Serbisë në Londër, për të dënuar përfshirjen e zyrtarëve shtetërorë dhe ushtarakë serbë në ceremonitë e organizuara me rastin e funeralit të Ratko Mlladiqit.

E dërguara e posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka thirrur diplomatin serb për t’ia përcjellë qëndrimin britanik lidhur me nderimet ndaj Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

banner

Ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, ka deklaruar se krimet për të cilat është dënuar Mlladiqi janë ndër më të rëndat të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Si komandant ushtarak, Mlladiqi drejtoi krime që janë ndër më të rëndat e kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai u dënua nga një tribunal i pavarur i OKB-së për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Mohimi dhe zbardhja e krimeve të tij është fyerje ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe minon drejtpërdrejt stabilitetin dhe besimin rajonal”, ka deklaruar ai.

Qeveria britanike ka shprehur solidaritet me viktimat e Mlladiqit dhe familjet e tyre, duke theksuar se ato meritojnë respekt, dhembshuri dhe llogaridhënie dhe jo përpjekje për rishkrimin e historisë së dëshmuar.

“Udhëheqësit politikë dhe institucionet publike kanë përgjegjësi të shikojnë drejt së ardhmes, jo drejt së kaluarës, dhe të veprojnë në mënyrë që të mbështesin pajtimin rajonal, jo të rihapin plagët e vjetra”, thuhet në reagim.

Londra ka rikujtuar gjithashtu se Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë ishte themeluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe se Serbia ka detyrim t’i respektojë vendimet e tij.

“Kjo është arsyeja pse sot thirrëm të ngarkuarin me punë të Serbisë. Glorifikimi i një krimineli të dënuar të luftës minon drejtpërdrejt besimin, nxit përçarje dhe është i papajtueshëm me procesin e pajtimit brenda Bosnjë-Hercegovinës dhe në rajon”, ka deklaruar ministri britanik.

Mbretëria e Bashkuar ka ritheksuar angazhimin e saj për drejtësinë ndërkombëtare, llogaridhënien dhe pajtimin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.