
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Konferencën e ambasadorëve të Serbisë ka thënë se ka filluar një valë e re njohjesh së pavarësisë së Kosovës, teksa ka bërë thirrje për mobilizim për të punuar për çnjohje.
Këtë vit Kosova është njohur nga katër shtete të reja. E fundit që e njohu shtetësinë e Kosovës ishte Bahamet.
Vuçiqi tha se kishte pritur përparim të madh nga administrata e Donald Trumpit në SHBA, por thotë se nuk ka mbështetje nga asnjë fuqi e madhe.
Vuçiqi u ka thënë ambasadorëve serbë se “duhet punuar në çnjohjen e Kosovës”.
“Vetëm që ta dini, pavarësisht se çfarë ju thonë, pavarësisht se çfarë thonë, asnjë marrëveshje nuk e respektojnë as Prishtina, as Bashkimi Evropian e as SHBA-ja. Madje as ato që na imponuan – Kosova është pjesë e Serbisë për ne, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, tha Vuçiqi, transmeton “N1”.
Vuçiqi ka thënë se Serbia duhet ta forcojë praninë në Azi, Afrikë, Amerikë të Jugut dhe Amerikë Qendrore.
Vuçiqi ka folur edhe për sanksionet e vendosura nga SHBA-ja ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS).



