
Aleanca ka thënë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është “shuplaka e fundit” për Qeverinë Kurti dhe “pasqyra reale e një degradimi të gjatë”.
“Pas më shumë se gjashtë vjetëve në qeverisje, kjo Qeveri dëshmoi prapë se ka mbetur në dorën e njerëzve të padijshëm dhe të korruptuar. Ky dokument zyrtar i Brukselit nuk lë hapësirë për manipulim apo propagandë, pasi secili vlerësim konstaton stagnimin dhe paralizën institucionale në të cilën është zhytur Kosova. Ky raport shënon pikën më të ulët në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian. Për herë të parë, dokumenti është i mbushur me konstatimet dramatike “asnjë progres” dhe “progres i limituar””, thuhet nga Aleanca.
Aleanca ka thënë se Kosova, bazuar në raportin, “po bën kthim prapa në të gjitha fushat jetike”.
“Vendimi i pushtetit për ta çuar vendin në tri palë zgjedhje brenda një viti ka bllokuar legjislativin dhe ka lënë shtetin pa orientim, duke na shkëputur përfundimisht nga ritmi i vendeve të rajonit. Në fushën e drejtësisë, aty ku u premtua reforma e thellë, Bashkimi Evropian gjeti zero përparim. Gjyqësori është lënë i cenueshëm nga ndërhyrjet, ndërsa lufta ndaj korrupsionit ka prodhuar vetëm rezultate të kufizuara në letër. E njëjta neglizhencë vërehet edhe në kontrollin e financave publike, ku qeveria ka injoruar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar, duke dëmtuar menaxhimin e investimeve dhe duke zbehur besueshmërinë tonë para partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet nga Aleanca.
Aleanca ka thënë se “mënyra e papërgjegjshme e udhëheqjes do t’i kushtojë shtetit tonë”.
“Edhe propaganda për rritje ekonomike u rrëzua plotësisht nga gjetjet e raportit. Ekonomia e Kosovës sot karakterizohet nga konkurrueshmëria e dobët, varësia e thellë nga importet dhe rritja e shkallës së papunësisë, e cila po godet rëndë gratë dhe të rinjtë. Në vend të zhvillimit, ky pushtet ka krijuar një ambient që i dëbon profesionistët nga vendi. Kësaj i shtohet edhe dështimi në mbrojtjen e të drejtave elementare, ku dhuna me bazë gjinore mbetet e përhapur dhe mediat përballen me mungesë transparence e presione të vazhdueshme. Aleanca ka paralajmëruar në vazhdimësi se kjo mënyrë e papërgjegjshme e udhëheqjes do t’i kushtojë shtetit tonë”.
Në Raportin për Kosovën nënvizohet se kriza institucionale dhe politike ka qenë një prej pengesave kryesore për mungesë të progresit më të madh./KOHA



