
Presidentja e Kosovës shprehu ngushëllime dhe vlerësoi lart kontributin institucional dhe akademik të ish-kryetarit të Kuvendit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet më të thella për vdekjen e ish-kryetarit të Kuvendit, akademik Nexhat Daci, gjatë Akademisë Përkujtimore të mbajtur për jetën dhe veprën e tij.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se Daci do të kujtohet si burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar, i cili i shërbeu Kosovës me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur. Ajo përmendi rolet e tij si kryetar i Kuvendit, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke nënvizuar gjurmën e pashlyeshme që ai la në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vend.
Presidentja theksoi se Nexhat Daci ishte ndër ata njerëz që u formësuan në periudhat më të vështira për popullin e Kosovës, duke u rreshtuar me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri e pavarësi. Ajo rikujtoi bashkëpunimin e tij të ngushtë me presidentin historik, Ibrahim Rugova.
Në përfundim, Osmani tha se me ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit nuk po i jepet lamtumirë vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë dhe dijes, duke uruar që kujtimi për të të mbetet i përjetshëm.



