
Portali “VOX Kosova” ka publikuar një hulumtim me pretendimin se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka blerë një shtëpi në kompleksin “Vargu i Blertë”, në Sofali të Prishtinës, me një çmim dukshëm më të ulët se vlera e pronave të tjera në këtë lagje.
Nagavci i ka mohuar pretendimet, duke i cilësuar shpifje dhe pjesë të një fushate të orkestruar kundër saj dhe familjes së saj. Pas reagimit të saj, drejtori i “VOX Kosova”, Lirim Mehmetaj, ka kërkuar përgjigje për çmimin e shtëpisë dhe kushtet e kredisë, duke e ftuar Nagavcin në debat publik.
Çfarë raportoi “VOX Kosova”?
Sipas raportimit të portalit, Nagavci e kishte blerë shtëpinë në vitin 2025 për 237 mijë e 500 euro, ndërsa çmimet e shtëpive në kompleks thuhet se lëvizin nga 380 mijë deri në 420 mijë euro.
“VOX Kosova” ka publikuar edhe një bisedë telefonike me një agjenci të patundshmërive. Në bisedë, përfaqësuesi i agjencisë thotë se një shtëpi në atë kompleks mund të gjendet për rreth 380 mijë euro, “plus-minus edhe pak”.
“Jo 237 mijë euro, por më e lira shtëpi në atë varg është 380 mijë euro”, ka pretenduar portali.
Mediumi ka publikuar edhe një dokument për të cilin thotë se e konfirmon çmimin e blerjes, mënyrën e pagesës dhe kredinë dhjetëvjeçare.
Sipas raportimit, Nagavci ka deklaruar kredi prej 203 mijë eurosh për blerjen e shtëpisë, por jo vlerën e plotë dhe sipërfaqen e pronës.
Portali ka ngritur pikëpyetje edhe për kushtet e kredisë. Sipas përllogaritjes së tij, kredia dhjetëvjeçare prej 203 mijë eurosh, me interes rreth 6.2 për qind, do të kishte këst mujor mbi dy mijë euro. Ndërkaq, të ardhurat mujore të deklaruara të Nagavcit dhe bashkëshortit të saj, sipas mediumit, janë rreth 2 mijë e 553 euro.
Këto mbeten pretendime të “VOX Kosova” dhe nuk janë vërtetuar me ndonjë vendim të institucioneve kompetente.
Nagavci: Shtëpia në kronikë nuk është fare e jona
Nagavci ka reaguar duke e quajtur publikimin tendencioz dhe të ndërtuar mbi pretendime të pavërteta.
“Kjo kronikë është ndërtuar tërësisht mbi shpifje dhe pretendime të pavërteta, vazhdimësi e sulmeve të orkestruara dhe përpjekjeve për të më njollosur mua dhe familjen time”, ka shkruar ajo.
Sipas Nagavcit, pretendime të njëjta ishin publikuar edhe më herët dhe ajo kishte dhënë sqarimet e nevojshme.
“Madje, shtëpia të cilës i referohen në kronikë nuk është fare shtëpia jonë! Kjo tregon më së miri se mbi çfarë pretendimesh është ndërtuar e gjithë kronika”, ka deklaruar Nagavci.
Ajo ka thënë se dokumentet që portali pretendon se i ka siguruar, ua kishte dërguar vetë dy personave ndaj të cilëve tashmë ka ushtruar padi.
“Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë zbulim gazetaresk, por me riciklimin e të njëjtave pretendime dhe dokumente, në vazhdën e sulmeve që i konsideroj të orkestruara”, ka shtuar ajo.
Nagavci ka thënë se askush nga portali nuk e kishte kontaktuar për t’ia marrë qëndrimin para publikimit.
“Liria e medias nuk është licencë për shpifje, manipulim dhe denigrim”, ka shkruar ajo.
Ajo ka bërë të ditur se ka ushtruar padi ndaj dy personave për përhapjen e këtyre pretendimeve, si dhe padi për shpifje ndaj Lirim Mehmetajt.
Nagavci i ka kërkuar “VOX Kosova” që brenda tri ditësh ta tërheqë publikimin dhe të kërkojë falje publike. Në të kundërtën, ka paralajmëruar hapa ligjorë dhe ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.
Mehmetaj: Përgjigju në dy pyetje dhe eja në debat
Pas reagimit të Nagavcit, drejtori i “VOX Kosova”, Lirim Mehmetaj, ka thënë se ajo nuk u është përgjigjur dy pyetjeve kryesore të raportimit.
“Qysh e bleve 237 mijë euro shtëpinë në një lagje ku shtëpia më e lirë kushton 380 mijë euro? Qysh more kredi 203 mijë euro me 6 për qind interes për 10 vjet, kur të ardhura mujore i ke deklaru bashkë me burrin veç 2 mijë e 500 euro?”, ka pyetur Mehmetaj.
Ai ka thënë se Nagavci duhet të përgjigjet për këto dy çështje, në vend se të merret, sipas tij, me elemente periferike të raportimit.
“Veç qeto dy përgjigje ke me i jep. Si mos t’japësh përgjigje për këto dy pyetje, po merresh me gjana periferike të situatës, e dimë që po vergllat kot”, ka shkruar Mehmetaj.
Ai e ka ftuar Nagavcin në debat publik, së bashku me personin që ia ka shitur pronën dhe përfaqësuesin e bankës që ia ka miratuar kredinë.
“Eja n’debat, ministre. Merre me vete edhe atë që ta ka shitë shpinë 200 mijë euro nën çmim, edhe atë që ta ka jep kredinë me kushte të pamundshme. Hajte, dil para popullit”, ka deklaruar Mehmetaj.



