
Kryeministri në detyrë vlerësoi kontributin institucional dhe rolin e ish-kryeparlamentarit në ndërtimin e kulturës demokratike pas çlirimit
Në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq më 1 janar 2026 në moshën 81-vjeçare.
Në këtë akademi mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili nderoi figurën dhe kontributin institucional të profesor Nexhat Dacit. Në fjalën e tij, Kurti theksoi se vdekja e Dacit ka bashkuar përfaqësuesit institucionalë në Kuvend në një periudhë kalimtare për institucionin legjislativ, kur legjislatura e kaluar është shpërndarë dhe ajo e re ende nuk është konsoliduar.
“Sot, më 2 janar 2026, një rast mortor na ka bërë bashkë këtu në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, në një periudhë të ndërmjetme për institucionin legjislativ të Republikës sonë”, tha Kurti.
Ai rikujtoi se Nexhat Daci vdiq më 1 janar 2026 dhe se përveçse ish-kryetar i Kuvendit dhe ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ai ishte edhe themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Kurti përmendi se gjatë paradites qytetarë të shumtë kishin bërë homazhe në hollin e Kuvendit, ndërsa akademia përkujtimore u mbajt në sallën plenare për shkak të lidhjes së ngushtë të karrierës politike të Dacit me këtë institucion.
Ai theksoi se në dekadën e parë pas çlirimit të Kosovës, Nexhat Daci ishte deputet i zgjedhur dhe kryetar i Kuvendit për dy mandate, në vitet 2000–2004 dhe 2004–2006, duke pasur rol kyç në drejtimin e debatit parlamentar në një periudhë të ndërtimit të rendit të ri politik dhe demokratik.
“Sipas Kurtit, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike, Nexhat Daci dha shembull se si duhet kuvenduar dhe si duhet zhvilluar beteja politike në Kuvendin e Kosovës”, përfundoi ai.



