
Presidenti amerikan lë të hapur mundësinë e një operacioni ushtarak ndaj Kolumbisë, duke e akuzuar presidentin Gustavo Petro për lidhje me trafikun e kokainës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se edhe presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, mund të përballet me të njëjtin fat si udhëheqësi i Venezuelës, Nicolás Maduro, i cili u arrestua pas një operacioni amerikan.
Gjatë një deklarate për gazetarët teksa udhëtonte me avionin presidencial Air Force One, të dielën, Trump e quajti Petron “një njeri të sëmurë” dhe e akuzoi atë për prodhimin dhe shitjen e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
“Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara. Por kjo nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë,” tha Trump, raporton A2 CNN.
I pyetur nëse SHBA do të ndërmerrte një operacion ushtarak në Kolumbi, të ngjashëm me ndërhyrjen në Venezuelë, Trump u përgjigj shkurt: “Më duket ide e mirë”.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro e ka kritikuar më herët sulmin amerikan në Venezuelë, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë ndaj sovranitetit të Amerikës Latine dhe një precedent të rrezikshëm për rajonin.
Ndërkohë, Nicolás Maduro pritet të dalë të hënën për herë të parë para Gjykatës Federale në Manhattan, ku do të njihet zyrtarisht me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Deklaratat e Trump po rrisin shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim të mundshëm të ndërhyrjeve amerikane në Amerikën Latine, pas operacionit në Venezuelë që ka shkaktuar reagime të forta globale.



