Këshilltari i Bislimit: Takimet në Zvicër nuk janë sekrete

Klisman Kadiu thotë se dialogu ka shumë ndërmjetësues dhe se takimet në Zvicër janë të hapura e jo sekrete.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka reaguar ndaj raportimeve për takime të pretenduara mes Bislimit dhe ministrit serb të Jashtëm, Marko Gjuriq, në Zvicër, duke i mohuar kategorikisht ato.

banner

Sipas Kadiut, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin një numër të madh akterësh ndërmjetësues. Ai theksoi se, krahas Bashkimit Evropian, në këtë proces janë të përfshira edhe vende partnere dhe mike, të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme ndërmjetësimi mes palëve.

“E tillë është edhe Zvicra, e cila përmes Departamentit për Punë të Jashtme organizon çdo vit takime me shoqërinë civile, ekspertë, politikanë dhe qeveritarë nga të dy shtetet. Ne shprehim mirënjohjen tonë ndaj Zvicrës për angazhimin dhe përkushtimin e saj”, ka deklaruar Kadiu.

Ai ka theksuar se këto takime nuk janë “të fshehta” dhe se zëvendëskryeministri Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në këtë mandat në procesin e dialogut, nuk ka zhvilluar asnjë takim të fshehtë, e aq më pak me Marko Gjuriqin.

Kadiu sqaroi se në njërin nga këto takime në Zvicër, Besnik Bislimi ka qenë i ftuar si folës, por në atë takim nuk ka qenë i pranishëm Marko Gjuriq.

“Zëvendëskryeministri Bislimi nuk ka patur asnjë takim në Zvicër me Marko Gjuriqin dhe kurrë nuk e ka takuar atë”, ka përfunduar Kadiu.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.