
Kusari-Lila thotë se takimet në Zvicër që nga viti 2010 nuk kanë karakter negociues dhe përfaqësuesit e Kosovës kanë mbrojtur gjithmonë qëndrimet zyrtare.
Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje ka reaguar ndaj aludimeve dhe pretendimeve për takime të fshehta me Serbinë, duke theksuar se aktivitetet e organizuara nga Center for Inclusive Governance (CIG) janë transparente dhe publike.
Në një postim të fundit në Facebook, Kusari-Lila shpjegon se takimet organizohen që nga viti 2010, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me mbështetje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës. Aty kanë marrë pjesë përfaqësues të spektrit të gjerë politik të Kosovës dhe Serbisë, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, si dhe përfaqësues të vendeve të QUINT-it dhe të MPJ-së së Zvicrës.
“Këto takime nuk janë të fshehta. Aty as nuk negociohet dhe as nuk merren vendime. Për transparencë të plotë, lista e pjesëmarrësve që nga fillimi i takimeve dhe përfundimet e secilit takim janë publike,” ka shkruar ajo, duke ndarë edhe linkun e faqes zyrtare të organizatës: cigonline.net/publication.
Kusari-Lila ka theksuar se gjatë diskutimeve, ajo dhe kolegia e saj, Fitore Pacolli, kanë përfaqësuar gjithmonë qëndrimet zyrtare dhe publike të Qeverisë së Kosovës. Ajo i ka quajtur pretendimet për vendime të fshehta si dezinformim dhe ka shtuar se raportimet që veçojnë Vetëvendosjen synojnë të ndërtojnë një narracion të rremë.
“Ju falënderoj për besimin e madh dhe mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre pesë viteve, si dhe për vigjilencën dhe qartësinë në gjykim, pavarësisht fushatave të egra dezinformuese,” përfundon Kusari-Lila.



