
Niveli i ujërave ka rënë, ndërsa shërbimet emergjente mbesin në gatishmëri të shtuar.
Shtabi Emergjent i Komunës së Malishevës, pas vlerësimit të situatës aktuale të krijuar si pasojë e reshjeve të fundit, ka vendosur të heqë gjendjen e situatës emergjente. Vendimi është marrë pas mbledhjes së sotme të shtabit dhe vlerësimit të gjendjes në terren.
Sipas njoftimit zyrtar të Komunës së Malishevës, reshjet e fundit u shoqëruan me vërshime dhe dëme të konsiderueshme, por tani niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja është stabilizuar. Megjithatë, autoritetet komunale kanë bërë të ditur se shërbimet emergjente do të mbesin në gatishmëri të shtuar për çdo eventualitet.
Ndërkohë, kjo periudhë e vërshimeve ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, ka njoftuar se tashmë është formuar Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet që të parashtrojnë kërkesat për vlerësim të dëmeve pranë Zyrës së Pritjes në Komunën e Malishevës, në mënyrë që të bëhet evidentimi dhe trajtimi i rasteve.



