
Maloku u vra më 11 janar 1999 në Prishtinë në një atentat të armatosur.
Sot shënohen 27 vjet nga vrasja e gazetarit të njohur kosovar, Enver Maloku, i cili u ekzekutua më 11 janar 1999 në një atentat në Prishtinë.
Enver Maloku ishte një nga figurat më të rëndësishme të gazetarisë politike të asaj kohe dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ai ushtronte detyrën e shefit të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), agjencisë së lajmeve të Kosovës, përmes së cilës dha një kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Kosovë.
Para vrasjes, Maloku kishte shpëtuar nga një atentat i parë më 18 korrik 1998, kur ndaj tij u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Puna dhe angazhimi i tij profesional ishin të lidhura ngushtë me përpjekjet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke e bërë atë një zë të fuqishëm të rezistencës paqësore dhe të së vërtetës. Vrasja e Enver Malokut mbetet një nga krimet më të rënda ndaj gazetarëve në Kosovë dhe simbol i sakrificave në emër të fjalës së lirë, informimit publik dhe idealit për një Kosovë të lirë e të pavarur.



