Lumir Abdixhiku njofton se do ta ofrojë dorëheqjen pas zgjedhjeve, vendimin ia lë Kuvendit të LDK-së

Kryetari i LDK-së thotë se dorëheqja nuk është ikje nga përgjegjësia, por përballje me të, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të partisë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se i ka ofruar dorëheqjen e tij anëtarësisë së partisë, përkatësisht Kuvendit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si obligim moral, njerëzor dhe politik pas zgjedhjeve.

banner

Në një deklaratë publike, Abdixhiku sqaroi se takimi i zhvilluar me nënkryetarët e LDK-së ishte joformal dhe konsultativ, por me interesim të madh nga publiku dhe mediat, të cilat i falënderoi për vëmendjen.

Ai theksoi se dorëheqja nuk është akt për t’u shmangur nga përgjegjësia, por për t’u përballur me të. “Përgjegjësia nuk bartet me justifikime, por me guxim për t’u vënë përpara gjykimit të njerëzve të tu,” deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë i partisë, duhet të vendosë jo vetëm për fatin e tij personal si kryetar, por edhe për rrugëtimin e ardhshëm të partisë.

Abdixhiku falënderoi anëtarët dhe mbështetësit për mesazhet e shumta dhe kërkesat për mosdorëheqje, duke theksuar se këto mesazhe e kanë prekur thellë. Ai shtoi se për respekt ndaj atyre që kanë besuar dhe sakrifikuar për LDK-në, nuk ka të drejtë të fshihet apo të shmangë përgjegjësinë.

“Kam bërë gjithçka që kam ditur dhe kam mundur për LDK-në. Disa beteja i fituam, disa i humbëm, por asnjëherë nuk kam punuar për veten time më shumë sesa për këtë parti,” tha ai.

Kryetari i LDK-së ftoi gjithashtu çdo anëtar që ka ambicie dhe aftësi të kërkojë hapur mbështetjen e anëtarësisë, duke theksuar se demokracia kërkon guxim për të hyrë në garë.

Sipas tij, fillimisht do të mblidhet Kryesia e partisë në një takim zyrtar, e më pas edhe Kuvendi. Abdixhiku u zotua se do ta respektojë çdo vendim që merr anëtarësia me qetësi dhe dinjitet, duke theksuar se mbi çdo funksion qëndron LDK-ja dhe besimi i njerëzve të saj.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.