Sorensen: Uroj që viti 2026 të na japë atë që nuk na e dha viti i shkuar

Peter Sorensen, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se uron që më 2026 Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë për të diskutuar në procesin e dialogut, dhe që të mos ndodhë sikur një vit më parë kur nuk pati asnjë takim fare.

Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenten Vjosa Osmani, Sorensen në një deklaratë për media ka thënë se pret konstituim të shpejtë të Kuvendit e formim të Qeverisë së re.

banner

“Urime Viti i Ri të gjithëve. Jam i lumtur që jam sërish në Kosovë, udhëtimin e parë të vitit. Pos Vitit të Ri, ju uroj edhe për zgjedhjet që vetëm sa i keni mbajtur. Po shikojmë para që të krijohet Parlamenti e të themelohet qeveria. Por, sigurisht siç ka qenë rasti me vitin 2025, ne punojmë për çështjet e dialogut që i kemi para nesh. Personalisht kam shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri. Dhe për këtë arsye e nisa vitin me udhëtim pune këtu e në Beograd pak më vonë. Siç e shihni po vonohem”, tha Sorensen. 

Sorensen ka thënë se qëllimi i tij është që t’i bindë palët të ulen e të bisedojnë dhe të gjejnë dakordim për çështje të caktuara.

Sorensen ka kujtuar që vitin e shkuar Kosovën dhe Serbinë i ka vizituar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, dhe se ajo ka theksuar që do të ketë takim kur të jetë koha e duhur.

“Ajo që ne do të bëjmë është ajo që na është kërkuar nga bota me rolin e lehtësuesit të dialogut. Të sigurohemi që palët të ulen e të flasin. Duhet të gjejmë mënyrë që të bëjmë këtë. Përfaqësuesja e lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën vitin e kaluar. Aty kemi pasur zotime se do të ketë takim kur të jetë koha e përshtatshme. Ajo do të thërrasë takimin, palët do të marrin pjesë e më pas do të shohim si të ecet përpara”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.