
Deputetja thotë se pas rezultatit të dobët zgjedhor, lidershipi i partisë ka humbur legjitimitetin dhe kërkon zgjedhje të brendshme.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar dorëheqjen e parevokueshme të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke theksuar se kjo vjen si standard i vendosur nga vetë LDK-ja ndër vite.
Ajo bëri të ditur se kërkesën e ka parashtruar në mbledhjen e djeshme të partisë, ndërsa në shenjë respektimi të të njëjtit standard, ka ofruar edhe dorëheqjen e saj të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së LDK-së.
“Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite. Kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo shtoi se përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Kosovën mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti dhe te një person, për të cilin tha se ka dëshmuar se interesin personal dhe partiak e vë para interesit të shtetit.
Bajrami theksoi se LDK-ja nuk është vetëm një parti politike, por një mbrojtëse e shtetit, institucioneve, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke shtuar se kjo bëhet e mundur vetëm kur interesi i Kosovës vendoset mbi interesin partiak.
Sipas saj, pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme janë të domosdoshme dhe të vetmet që mund ta nxjerrin partinë nga situata aktuale.
Në fund, Bajrami falënderoi 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar për LDK-në, si dhe 57 mijë e 153 votues që i kanë besuar asaj mandatin e shtatë si deputete, duke theksuar se do të vazhdojë angazhimin politik brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
“LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, përfundoi ajo.



