
Statovci thotë se akuzat janë të pabaza dhe vijnë si pasojë e frikës nga ndikimi politik i Gërvallës.
Deputetja e Listës GUXO, Jeta Statovci, ka reaguar lidhur me një seri sulmesh politike dhe propaganduese ndaj Donika Gërvallës, pas suksesit të saj në zgjedhjet e fundit.
Sipas Statovcit, Gërvalla ka marrë mbi 153 mijë vota nga qytetarët e Kosovës, duke u shndërruar në një nga politikanet më të mbështetura në vend. Ajo thekson se ky rezultat, bashkë me zërat se Gërvalla mund të emërohet Ministre e Drejtësisë, kanë shqetësuar disa qarqe politike, të cilat sipas saj po orkestrojnë sulme të qëllimshme kundër saj.
Deputetja e GUXO-së sqaroi se nga intervista e vjetër e publikuar së fundmi, Donika Gërvalla asnjëherë nuk ka deklaruar se ka dërguar dëshmi në Gjykatën Speciale, një gjykatë e cila, sipas saj, është votuar nga vetë ata që sot po hedhin akuza të pabazuara.
Ajo theksoi se media ka të drejtën e fjalës së lirë dhe se publikimi i intervistës vetëm sa dëshmon vizionin e thellë politik të Gërvallës, e cila kishte parashikuar me saktësi shumë zhvillime politike në Kosovë.
Duke iu përgjigjur pyetjes “ku është fuqia e Donika Gërvallës?”, deputetja Statovci tha se forca e saj qëndron në edukimin familjar e patriotik, në konsistencën e qëndrimeve, guximin, parimësinë dhe vizionin demokratik.
Sipas saj, sakrificat e familjes së Gërvallës për Kosovën janë dëshmi e vlerave që ajo përfaqëson, duke shtuar se për këtë arsye Donika Gërvalla mbetet një nga figurat më të përkrahura në skenën politike të vendit.



