
Rinumërimi i deritanishëm i votave e ka lënë jashtë Kuvendit ministrin në detyrë i Zhvillimit Rajonal dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damkën, shkruan KOHA.
Bazuar në shifrat e deritashme mandati pritet t’i kalojë Ergul Mazrekut i cili ka 2.511 vota me 15 vota më shumë nga rinumërimi.
Damkës deri tash i janë hequr 68 vota të cilat i ishin përshkruar rrejshëm. Totali i votave të tij aktualisht është 2449 pas rinumërimit të 460 nga 914 vendvotime.
Rinumërimi i votave ka zbardhur manipulimin që është bërë në Qendrat Komunale të Numërimit. Devijim më i madh është evidentuar në Prizren. Deri tash në këtë komunë janë rinumëruar 188 nga 208 vendvotime.



