KQZ shkarkon anëtarët e KZK-së në Prizren

Radoniqi: Në Prizren u evidentuan dallimet më të mëdha, do të bashkëpunojmë me organet e drejtësisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin e Këshillit për Operacione Zgjedhore për rinumërimin e votave në të gjitha vendvotimet në edhe 28 komuna të tjera, si dhe për ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e partive politike në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren.

banner

Ky rekomandim u miratua unanimisht me 11 vota pro.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se të gjitha gjetjet që dalin nga procesi i rinumërimit do t’i adresohen Prokurorisë së Shtetit.

“Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, tha Radoniqi.

Ai prezantoi edhe raportin nga rinumërimi i plotë në dhjetë komuna dhe 10 për qind të vendvotimeve të tjera.

Sipas raportit nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, pas rinumërimit janë zbritur 36,007 vota nga kandidatët, të cilat më parë ishin regjistruar në QKN, ndërsa janë shtuar 20,978 vota të tjera që nuk ishin regjistruar saktë. Këto ndryshime, sipas Radoniqit, tregojnë pasaktësi serioze në procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

“Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR janë zbritur 29,343 vota nga kandidatët, ndërsa janë shtuar 16,366 vota të tjera që nuk ishin regjistruar saktë në QKN të Prizrenit”, tha Radoniqi.

Ai shtoi se në komunat tjera të rinumëruara nuk janë vërejtur dallime të mëdha, megjithatë në disa vendvotime janë evidentuar ndryshime të theksuara tek disa kandidatë, si pasojë e gabimeve në regjistrim dhe rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme.

Vendimin për rinumërim e mbështetën përfaqësuesit e të gjitha partive politike.

Zgjedhjet u mbajtën më 28 dhjetor. Fillimisht në rinumërim shkuan 10 komuna dhe 10 për qind e vendvotimeve të tjera nga gjithsej 38 komuna, ku u evidentuan manipulime të votave për kandidatët për deputetë. Pas këtyre gjetjeve, partitë politike dhe shoqëria civile kërkuan rinumërim në gjithë Kosovën.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.