Erëra të forta të dielën në Prishtinë, Komuna apel për kujdes të shtuar

Qytetarët udhëzohen të sigurojnë objektet në ballkone e oborre dhe të shmangin qëndrimin në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë të fuqishme

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar për erëra me intensitet mesatar deri të fortë gjatë ditës së diel, duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa parandaluese për sigurinë e tyre.

banner

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, paralajmërimi bazohet në të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës. Nga mëngjesi i së dielës, 25 janar 2026, pritet që erërat të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.

Shpejtësia e erës parashihet të arrijë:

11–14 m/s në zonat kodrinoro-malore (erë e fortë) 8–11 m/s në zonat më të ulëta (erë mesatarisht e fortë)

Sipas parashikimeve, kushtet atmosferike pritet të përmirësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar, kur erërat do të fillojnë të dobësohen.

Autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët që, pa krijuar panik, të tregojnë kujdes dhe të ndërmarrin masa të thjeshta mbrojtëse, si:

sigurimi ose largimi i objekteve të lehta në ballkone, çati dhe oborre, kujdes gjatë lëvizjes pranë pemëve të larta, tabelave reklamuese dhe objekteve ndërtimore, shmangia e qëndrimit të panevojshëm në hapësira të hapura gjatë intervaleve me erë të fortë, drejtimi i automjeteve me kujdes të shtuar, sidomos për mjetet e larta.

Në rast të vërejtjes së ndonjë rreziku potencial, si degë të rëna apo objekte të lëvizshme, qytetarët mund të njoftojnë shërbimet kompetente. Për emergjenca janë në dispozicion numrat 0800 122 44 dhe 0800 122 33.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se do të jetë në gatishmëri të vazhdueshme dhe do të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.