Kusari–Lila: S’kemi diskutuar ende për Osmanin, duhet dakordim me partitë për të shmangur zgjedhjet

Deputetja e zgjedhur nga lista e LVV-së thotë se prioritet është formimi i Qeverisë dhe Kuvendit; shprehet e gatshme ta votojë Vjosa Osmanin nëse arrihet marrëveshje politike.

Kryetarja e Alternativës dhe deputetja e zgjedhur nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka deklaruar se ende nuk ka pasur diskutime konkrete lidhur me kandidatin për president të vendit dhe nëse Vjosa Osmani do të propozohet për një mandat të dytë.

banner

Ajo ka theksuar se fokusi aktual mbetet përfundimi i procesit të formimit të Qeverisë dhe konstituimit të Kuvendit, ndërsa më pas do të hapet tema e zgjedhjes së presidentit.

Në një intervistë për “InfoNata” në Tëvë1, Kusari – Lila tha se nuk bëhet fjalë për hezitim ndaj ndonjë kandidature, por për nevojën e një marrëveshjeje të gjerë politike që siguron së paku 80 vota në Kuvend, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

“Përpjekja jonë e përbashkët, e të gjithëve, duhet të jetë që të evitojmë një proces tjetër zgjedhor. Rëndësia më e madhe është të kemi një dakordim dhe të hyjmë me qartësi, kushdo që e ka kandidaturën, znj. Osmani apo dikush tjetër, por të dalim me sukses nga ky proces”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vendit i duhet një qeveri stabile dhe një president me mandat të plotë, ndërsa ka shtuar se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, duhet të zhvillojë takime dhe diskutime me partitë politike për të arritur konsensus.

“Gjithsesi duhet të kemi dakordim për 80 vota, ajo është e domosdoshme dhe bazë. Mbetet të shihet se kah do të orientohet diskutimi i partive politike”, u shpreh Kusari – Lila, duke shtuar se beson se do të arrihet marrëveshje dhe do të shmangen zgjedhjet e reja.

E pyetur nëse personalisht do ta votonte Osmanin për një mandat tjetër, ajo tha se, nëse sigurohen 80 vota përmes marrëveshjes politike, do ta mbështeste “me kënaqësinë më të madhe”, duke vlerësuar punën e saj si presidente.

Ndërkohë, PDK dhe LDK kanë bërë të ditur se nuk do të votojnë asnjë kandidat të LVV-së për president pa një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.