
Zyrtari i LDK-së thotë se 55% e votëbesimit për Lumir Abdixhikun në Kuvend dëshmon demokracinë e brendshme të partisë dhe një proces real, jo ceremonial.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sokol Havolli, ka reaguar pas votëbesimit për kryetarin Lumir Abdixhiku në Kuvendin e partisë, duke theksuar se kundërshtimi ndaj tij ishte i artikuluar dhe i orkestruar, por se procesi i votimit ishte i lirë dhe i fshehtë.
Sipas tij, Abdixhiku mori 55 për qind të votave në një proces që, siç tha, kishte peshë të veçantë për shkak të rrethanave në të cilat u zhvillua.
“Lumir Abdixhiku fitoi 55% të votëbesimit në Kuvendin e LDK-së. Kjo fitore ka peshë sepse erdhi pas një rezultati zgjedhor jo të mirë, nën presion të hapur ndaj delegatëve dhe aktivistëve nga grupe të interesit, dhe në një votim real, jo ceremonial”, ka deklaruar Havolli.
Ai theksoi se vota e fshehtë përbën themelin e legjitimitetit të vendimit, duke shtuar se në LDK nuk funksionojnë kalkulimet e fshehta.
“55% në kuti nuk është aklamacion, sepse aklamacioni është farsë. Vota e fshehtë është legjitimitet i fuqishëm. Vota e fshehtë tregon se LDK e vendos lidershipin brenda strukturës së saj”, u shpreh ai.
Havolli vlerësoi procesin si dëshmi të demokracisë së brendshme në parti, duke theksuar se Kuvendi u zhvillua me debat, votëbesim real dhe vendim të lirë të delegatëve.
Sipas tij, Abdixhiku nuk fitoi sepse ishte i pakontestueshëm, por sepse, siç tha, “u testua dhe nuk i frikësohet demokracisë”.



