
Këshilltari Rinor Nuhiu thotë se pretendimet e Michael Martens janë shpifëse dhe se po konsultohen avokatë në Gjermani për ndjekje civile dhe penale.
Këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Rinor Nuhiu, ka bërë të ditur se janë duke u shqyrtuar masa ligjore ndaj gazetarit të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, lidhur me një shkrim të publikuar të mërkurën.
Në artikullin e tij, Martens pretendon se Osmani, duke përdorur mbështetjen amerikane, synon të sigurojë edhe një mandat tjetër presidencial dhe se po përpiqet të paraqitet si “kandidate e Trumpit”.
Nuhiu i ka cilësuar këto deklarime si shpifje dhe dezinformim, duke theksuar se ato mund të kenë pasoja ligjore sipas ligjit gjerman.
“Shpifja e përgojimi, akuzat e pabaza dhe pretendimet e rreme nga Michael Martens (i njohur si Andric1961) i nënshtrohen përgjegjësisë civile dhe penale sipas ligjit gjerman. Presidentja Osmani hedh poshtë kategorikisht këto pretendime të tij shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit. Presidentja po konsultohet me avokatë në Gjermani me qëllim përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore për ta mbrojtur integritetin e institucionit dhe vendit që ajo drejton”, ka shkruar Nuhiu në platformën “X”.
Ai ka shtuar se Presidenca mbetet e përkushtuar për të mbrojtur reputacionin e institucionit dhe për të ndërmarrë veprime kundër, siç i cilëson, akuzave të pabaza.



