
Bekim Jashari ka reaguar pas propozimit të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë që katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të dënohen me nga 45 vjet burg secili.
Përmes një reagimi publik, Jashari ka thënë se këto pretendime, të cilat i ka cilësuar si të rrezikshme, po i ndjek me shqetësim të madh. Ai ka theksuar se faktet dhe argumentet janë në anën e Kosovës, duke shtuar se këtë e dëshmoi edhe mbështetja ndërkombëtare që, sipas tij, ish-krerët e UÇK-së patën gjatë proceseve në Hagë.
Jashari, i cili vjen nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari, ka theksuar se në Kosovë krime ka kryer vetëm Serbia, duke i cilësuar ato si makabre dhe duke përmendur mijëra viktima civile, masakra dhe dëbime masive.
“Në Kosovë kishte vetëm një palë që kishte bërë krime, madje makabre, ajo është Serbia… Drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që viktima të barazohet me agresorin. Andaj kjo gjykatë nuk mund të dënojë askënd në emër të këtij populli, sepse ky popull e krijoi UÇK-në, UÇK-ja është vetë populli”, ka shkruar Jashari në reagimin e tij në Facebook.
Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të jetë i drejtë dhe të mos cenojë karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.



