
Turbullira në kanalin e Ibër-Lepencit nxori jashtë funksionit impiantin e Shkabajt; banorët raportojnë se furnizimi ende nuk është rikthyer.
Banorët e Fushë Kosovë po përballen me mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm për më shumë se 24 orë, si pasojë e turbullirës në kanalin e Ibër-Lepencit, e cila ka nxjerrë jashtë funksionit impiantin trajtues.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka njoftuar se procesi i trajtimit në impiantin e Shkabajt ka rifilluar, megjithëse me kapacitet të kufizuar për shkak të kushteve teknike. Sipas njoftimit zyrtar, rifurnizimi gradual për zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliq ishte paraparë të niste rreth orës 17:00, fillimisht me presion të ulët deri në stabilizimin e plotë të rrjetit.
“Sipas informatave të fundit, pritet që nga ora 17:00 të fillojë rifurnizimi gradual me ujë për konsumatorët në zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Fillimisht furnizimi mund të jetë me presion më të ulët, derisa sistemi të stabilizohet plotësisht”, thuhet në njoftim.
Përveç Fushë Kosovës, ndërprerje të furnizimit kanë pësuar edhe Prishtinë dhe Podujevë.
Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve për rikthim të furnizimit, banorët raportojnë se uji ende nuk është rikthyer në çezmat e tyre. Pas reagimeve të shumta, KRU Prishtina në rrjetin social Facebook ka bllokuar mundësinë e komenteve në njoftimet e saj.



