
Presidentja thotë se Kosova i është bashkuar iniciativës së nisur në Davos dhe thekson përkrahjen për anëtarësim në NATO si rezultat i bashkëpunimit me administratën Trump.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se më 19 shkurt do të qëndrojë në Washington D.C. për të marrë pjesë në takimin e parë inaugurues të Bordit të Paqes, organizatë ndërkombëtare pjesë e së cilës është bërë edhe Kosova.
Në një intervistë për Kanal 10, Osmani u shpreh se Kosova ndihet krenare që i është bashkuar kësaj nisme ndërkombëtare, së bashku me presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë.
“Ne vërtet ndjehemi krenar që i jemi bashkuar presidentit Trump, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë në këtë organizatë ndërkombëtare, e cila themelimin e kishte në Davos, kurse takimin e parë inaugurues e ka shumë shpejt në Washington D.C., për çka unë do të udhëtoj atje për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës”, tha Osmani.
Ajo theksoi se në këtë takim pritet që disa shtete ta konkretizojnë mbështetjen e tyre, ndërsa të tjera do të shprehin përkushtimin, i cili më pas do të formalizohet.
Presidentja Osmani shtoi se, sipas saj, janë bërë “shumë gjëra pozitive”, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, të cilën e cilësoi si rezultat të një pune të afërt me administratën Trump. Sipas saj, kjo përkrahje reflektohet edhe në letrën e dërguar nga presidenti amerikan me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.



