Robelli tregon lajmin e mirë: Lista Studentore e Serbisë s’do të bashkëpunojë me Listën Serbe në Kosovë

Publicisti Enver Robelli e ka cilësuar lajm të mirë qëndrimin e Listës Studentore, fituese e zgjedhjeve në Serbi, se nuk do të bashkëpunojë politikisht me Listën Serbe.

Sipas tij, ndonëse është ende herët të dihet se çfarë politike do të ndjekë Lista Studentore ndaj Kosovës, refuzimi i bashkëpunimit me Listën Serbe përbën një sinjal pozitiv.

“Një qëndrim shumë i mirë: Lista Studentore nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe në Kosovë”, ka shkruar Robelli.

Kandidati për deputet nga Lista Studentore, Jugoslav Gashiq, ka deklaruar se kjo lëvizje e konsideron Listën Serbe pjesë të politikës së Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

“Lista Serbe ka qenë zbatuesja e politikave të SNS-së në territorin e Kosovës, me rezultate absolutisht katastrofike. Nuk duam asnjë lloj kontakti dhe asnjë lloj bashkëpunimi me ta”, ka thënë Gashiq për një radio lokale të serbëve të Kosovës.

Ai ka vlerësuar se rezultati i zgjedhjeve përbën tronditje të rëndë politike për Listën Serbe.

“Për ta, kjo është një befasi e madhe dhe një tërmet. Mendoj se janë të shqetësuar se si do të vazhdojnë më tej”, ka deklaruar Gashiq.

Sipas tij, drejtuesit e Listës Serbe aktualisht janë më të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike dhe personale sesa për funksionimin e mëtejshëm të partisë.

“Lista Serbe ishte absolutisht e bindur se do të fitonte, sepse prej vitesh kishte përdorur veprime të pandershme dhe trysni ndaj popullit tonë, duke i shantazhuar njerëzit që të votonin për alternativën që ajo mbështet”, ka thënë Gashiq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.