PDK kërkon dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës: Gazmend Hoxha nuk mund të bëhet kurban i ministrit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas dështimeve institucionale të evidentuara në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Në një konferencë për media, Kabashi-Ramaj tha se Gërvalla, megjithëse i ka pranuar dështimet e institucioneve, është përpjekur ta shmangë përgjegjësinë politike si ministre dhe Koordinatore Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.

“Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqje të ministrave përgjegjës, hetim të plotë të çdo dështimi dhe veprim urgjent për mbrojtjen e jetës. Sepse Arlinda e pagoi me jetë dështimin e mbrojtjes. Asnjë funksion, asnjë post dhe asnjë pushtet politik nuk vlen më shumë se jeta e një qytetareje të Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.

Deputetja e PDK-së i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që t’i kërkojë dorëheqjet e Gërvallës dhe Sveçlës, ndërsa nëse ata refuzojnë, t’i shkarkojë nga detyra.

“Ndarja e pushteteve nuk është ndarje nga përgjegjësia. Koordinimi nuk është titull ceremonial. Është përgjegjësi për të identifikuar mangësitë, për të kërkuar veprim dhe për të siguruar që mekanizmat e mbrojtjes të funksionojnë”, tha Kabashi-Ramaj.

Duke iu referuar gjetjeve të Inspektoratit Policor të Kosovës, ajo përmendi moszbatimin e një urdhri mbrojtjeje, vonesat në ekzekutimin e një urdhri tjetër, mosshqyrtimin e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë.

“Arlinda nuk kërkoi privilegj. Kërkoi atë që Kushtetuta dhe ligjet ia garantojnë çdo qytetari: mbrojtjen e jetës dhe sigurinë. Prandaj, sot kërkojmë përgjigje: Kush e dinte? Kur e dinte? Kush kishte detyrimin të vepronte? Dhe pse nuk veproi?”, shtoi ajo.

Kabashi-Ramaj tha se dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, nuk e amniston ministrin Sveçla nga përgjegjësia politike për dështimet në institucionin që drejton.

“Gazmend Hoxha ka përgjegjësinë e vet. Ajo duhet të shqyrtohet deri në fund. Por drejtori i Policisë nuk mund të bëhet kurban i frikës së ministrit të tij për t’u përballur me përgjegjësinë politike”, deklaroi Kabashi-Ramaj.

Ajo paralajmëroi se PDK-ja, përmes komisionit hetimor parlamentar, do të angazhohet për zbardhjen e plotë të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale në këtë rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.