
Fokus në zhvillimet rajonale, sfidat e sigurisë dhe qëndrimin e unifikuar ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka zhvilluar sot një takim me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet politike në rajon, sfidat aktuale të sigurisë si dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në proceset integruese euroatlantike.
Abdixhiku theksoi nevojën për një qëndrim të unifikuar dhe të qartë në raport me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në çështjet që lidhen me stabilitetin rajonal, demokracinë funksionale dhe sundimin e ligjit. Ai vlerësoi se bashkëpunimi i ngushtë institucional dhe dialogu i rregullt politik mes dy vendeve janë thelbësorë për avancimin e agjendës evropiane.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria ndajnë një marrëdhënie të veçantë të ndërtuar mbi histori, vlera dhe aspirata të përbashkëta, si dhe një përgjegjësi të përbashkët për të kontribuar në paqen e qëndrueshme dhe perspektivën evropiane të rajonit. Ai ritheksoi se përkrahja reciproke në rrugën drejt integrimit evropian dhe euroatlantik mbetet një shtyllë strategjike për të ardhmen e qytetarëve dhe forcimin e rolit të dy shteteve në arenën ndërkombëtare.



