
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Përparim Gruda, ka thënë se nuk mund të shqyrtohen amendamentet e propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit/es direkt nga populli.
Arsyeja për këtë, sipas Grudës, është tejkalimi i çdo afati sepse amendamentet janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2011.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, ka thënë Gruda në mbledhjen e Komisionit.
Ai ka thënë se edhe Kushtetuta më nuk është e njëjtë si ajo që ka qenë atë kohë.
Ai ka thënë se ndryshimi i Kushtetutës në procedura të shpejta për pak orë është në stilin e shteteve autoritare.
Gjatë diskutimit është përplasur me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Adnan Rrustemi i VV-së ka thënë se janë përmbushur elementet e kërkuara për ta proceduar në Kuvend, ndërkaq Artan Abrashi ka deklaruar se diskutimi duhet të orientohet vetëm te çështja se a duhet apo jo që presidenti të zgjidhet me votë nga populli.
Edhe Jehona Lushaku e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se ndryshimet kushtetuese duhet të marrin kohë dhe debat më të gjerë.



