
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë thotë se edhe pas zgjedhjeve të reja do të nevojitet kompromis politik për zgjedhjen e presidentit.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak të mungesës së kompromisit politik.
Në një reagim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Bushati ka shkruar se Kosova po shkon në zgjedhje pasi kompromisi është konsideruar “fjalë e keqe”.
“Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse kompromisi u konsiderua ‘fjalë e keqe’. Mirëpo, edhe parlamenti që do të konstituohet nga zgjedhjet e reja do t’i nënshtrohet të njëjtës formulë për zgjedhjen e presidentit. Që do të thotë se, sërish do të nevojitet kompromis politik”, ka shkruar Bushati.
Ai ka kujtuar se një formulim i ngjashëm ka ekzistuar edhe në Shqipëri, sipas Kushtetutës së vitit 1998, e cila parashikonte që presidenti të zgjidhej me shumicë të cilësuar votash në një procedurë me pesë raunde në parlament.
Sipas tij, nëse parlamenti shpërndahej për shkak se nuk arrinte të zgjidhte presidentin, atëherë edhe parlamenti i dalë nga zgjedhjet e reja i nënshtrohej të njëjtës formulë për zgjedhjen e kreut të shtetit.



