
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij ka zhvilluar “bisedime shumë të mira dhe produktive” me Iranin gjatë dy ditëve të fundit, në lidhje me përfundimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ai u shpreh se këto diskutime kanë pasur si synim “një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive”, duke shtuar se bisedimet kanë qenë të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, dhe pritet të vijojnë gjatë gjithë javës.
Në një postim në platformën e tij TruthSocial, Trump njoftoi se, bazuar në ecurinë e këtyre bisedimeve, ka urdhëruar shtyrjen për 5 ditë të çdo sulmi ushtarak ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike të Iranit, në varësi të suksesit të negociatave në vazhdim.
Postimi i tij në Truth Social:
“Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit bisedime shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të armiqësive tona në Lindjen e Mesme.
Duke u bazuar në frymën dhe tonin e këtyre bisedimeve të thelluara, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që të shtyjë çdo dhe të gjitha sulmet ushtarake kundër centraleve energjetike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje! Presidenti Donald J. Trump.”



