
Donald Trump paralajmëroi Iran se Shtetet e Bashkuara do të jenë “makthi më i keq” nëse nuk pranojnë planin e paqes të propozuar nga Uashingtoni.
Deklarata u bë gjatë një mbledhjeje të kabinetit në White House, ku Trump kërkoi përsëri nga Teherani të negociojë një marrëveshje për të dhënë fund konflikteve të vazhdueshme. Ai kërcënoi se “nëse Irani nuk ulet në tryezën e negociatave, SHBA do të vazhdojnë t’i shkatërrojnë”, duke paralajmëruar pasoja të rënda për vendin në rast të refuzimit.
Paralajmërimi erdhi një ditë pas refuzimit të planit të paqes nga Irani, i cili kërkonte që regjimi të hiqte dorë nga programi bërthamor dhe të kufizonte raketat balistike. Steve Witkoff, i dërguari special i Trump, konfirmoi se SHBA-të kishin paraqitur një plan 15-pikësh, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen.
Trump shtoi se gjatë katër javëve të fundit, SHBA-të kanë goditur aftësinë ushtarake të Iranit “në një nivel që pak njerëz e kanë parë ndonjëherë më parë”, duke shkatërruar pjesërisht forcat detare dhe ajrore dhe rreth 90% të raketave iraniane. Ai paralajmëroi se nëse regjimi nuk pranon armëpushimin, SHBA do të veprojnë “të papenguar dhe të pandalur”.



