Fondi i Natasha Kandiqit kritikon librin e Shkëlzen Gashit: Përmban shumë pasaktësi

Fondi për të Drejtën Humanitare i ka reaguar Shkëlzen Gashit, si autori, dhe organizatorëve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” për pretendimet “e pasakta” të tyre në të dhënat që kanë shfaqur në sheshin qendror të Prishtinës. 

Sipas Fondit, të dhënat e paraqitura në ekspozitë në disa raste japin një pasqyrë të pasaktë të krimeve, dhe kjo shtoi Fondi, është mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare e fakteve. 

banner

Kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK)”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, Fondi sqaron tutje se në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës.

“Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së para arrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës”.

Sqaron më tej se statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes.

I njëjti gabim, Fondi thotë se është bërë edhe në rastin e Mejës. 

Mes të vrarëve kishte persona që më parë kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, por më 27 prill ata u ndanë nga kolonat e civilëve, ishin të paarmatosur, pa uniformë dhe nën kontroll të forcave serbe. Në këto rrethana ata nuk mund të konsiderohen persona të armatosur’ por viktima të krimeve të luftës”.

Fondi thekson se organizatorët e ekspozitës tregojnë gjithashtu mungesë njohurie për faktet e vërtetuara në gjykatë në lidhje me Reçakun. 

“Në transkriptin e gjykimit të Sllobodan Millosheviq-it, Shukri Buja ka deklaruar se nëntë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë në luftime më 15 janar 1999, gjë që është e ndarë nga vrasja e civilëve në Reçak. Është gabim dhe joprofesionale të nxirret përfundimi se një person është vrarë si luftëtar vetëm sepse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së. Në Baza e të dhënave të FDH dhe FDHK, përkatësia dhe rrethanat e vdekjes janë kategori të ndryshme. Pikërisht mosnjohja e këtij dallimi ka çuar në paraqitjen e gabuar të 48 të burgosurve të vrarë në Dubravë si ‘persona të armatosur’, duke shtrembëruar natyrën e krimit”, thotë Fondi.

Fondi e vlerëson veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. 

“Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”.

Fondi rikujton gjithashtu se të njëjtët autorë para dy vitesh kanë botuar librin “Masakrat në Kosovë”, i cili përmban shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara në gjykatë. 

“I njëjti model po përsëritet tani në këtë ekspozitë: të dhëna të pasakta, të bazuara në mungesë njohurie dhe pa përgjegjësi ndaj viktimave”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.