
Shkëlzen Gashi, Admovere dhe Integra kërkuan falje gjatë ditës së diele për shkak të ekspozitës në lidhje me mesakrat në Kosovë. Gashi dhe dy organizatat theksuan se asnjëherë nuk ishte qëllimi të lëndohen viktimat. Megjithatë, kjo kërkim falje – meaculpa – duket se nuk iu mjafton ish-luftëtarëve të UÇK-së. Çka ndodhi?
OVL e UÇK-së kanë ftuar një protestë për të hënën në lidhje me këtë ekspozitë. Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se ajo ekspozitë ka qenë fyerje për shoqërinë, vendin dhe për të gjithë ata që dhanë jetën.
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla ka thënë se askush nuk ka të drejtë të zbehë realitetin e luftës në Kosovë.
“Sot nuk jemi mbledhur këtu për ndonjë çështje të zakonshme. Jemi këtu, sepse në mes të Prishtinës është përdhosur e vërteta e luftës sonë dhe janë relativizuar krimet serbe, me ekspozita të financuara nga buxheti i shtetit, nga paratë tona. Një ekspozitë me plot shtrembërime dhe pretendime tendencioze, në sheshet e Prishtinës këto ditë ka tjetërsuar të vërtetën e shumë viktimave shqiptare, që regjimi serb me brutalitetin e tij ka ushtruar ndaj popullsisë tonë. Evidencat aty nuk janë gabime. Por, janë fyerje. Dhe kjo fyerje bëhet edhe më e rëndë kur paguhet me paratë e qytetarëve tanë. Me taksat tona po financohen projekte që i relativizojnë krimet serbe dhe e tjetërsojnë sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, ka thënë ai.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për protestën e thirrur nga OVL-ja.
“Mbështes protestën e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së kundër çdo përpjekjeje për shtrembërimin e së vërtetës së Luftës Çlirimtare.
Ftoj bashkëluftëtarët, familjarët e të rënëve dhe gjithë qytetarët që nesër, më 30 mars, në ora 13:00, para Kuvendit të Kosovës, të dalin në mbrojtje të sakrificës sonë për liri” – ka shkruar Haradinaj.
Njëjtë ka vepruar edhe PDK-ja.
“Kjo protestë është një reagim i drejtë qytetar dhe kombëtar për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, të familjeve të tyre dhe të vlerave të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Çdo përpjekje për të shtrembëruar faktet, për të relativizuar krimet apo për të rishkruar historinë tonë është e papranueshme dhe duhet të kundërshtohet me vendosmëri”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Çka thanë organizatorët e ekspozitës?
Reagim publik
Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.
Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.
Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.
Me respekt,
Integra dhe Admovere



