
Kreu i LDK-së thotë se Kosova është pranë realizimit të ëndrrës gjeneracionale për kualifikim në Botëror.
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar para ndeshjes së rëndësishme të Kosovës kundër Turqisë, duke thënë se vendi është vetëm 90 minuta larg historisë dhe realizimit të një ëndrre të kahershme.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku tha se një popull i tërë është i përqendruar te kjo përballje dhe se nata nuk është e zakonshme për Kosovën.
“Jemi vetëm 90 minuta larg historisë. Larg ëndrrës sonë gjeneracionale me të gjitha parafytyrimet që i kishim si fëmijë. Ne, në Botëror; pa na pyetur më askush se me kë je. Brazil, Argjentinë, Itali, Gjermani – nuk ka më rëndësi. Tani kemi shtetin tonë aty”, ka shkruar ai.
Abdixhiku theksoi se rrugëtimi i futbollit kosovar ka qenë i jashtëzakonshëm, duke përmendur vështirësitë me të cilat është përballur sporti në vend gjatë viteve të kaluara.
Ai përmendi edhe figurat historike të futbollit kosovar, si Fadil Vokrri, duke thënë se ëndrra për përfaqësim ndërkombëtar ka ekzistuar prej kohësh dhe se sot Kosova është pranë kulmit të këtij rrugëtimi.
Sipas Abdixhikut, futbolli në Kosovë është zhvilluar në rrethana të vështira, shpeshherë nën përjashtim dhe mosnjohje ndërkombëtare, por sot është në prag të një momenti historik.
“Para 10 vitesh na bënë një vend në hartën e FIFA. Festuam se na u dha një mundësi. Sot, 10 vite më pas, jemi 90 minuta larg Botërorit”, ka shtuar ai.
Në fund të reagimit të tij, Abdixhiku u bëri thirrje futbollistëve të Kosovës që të japin maksimumin në këtë ndeshje historike, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, e ardhmja e Kosovës mbetet e ndritur.



