
Politika gjuhësore duhet të reflektojë diversitetin e vendit, ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake, thotë Mexhiti.
Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti ka komentuar mbi protestat studentore në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të politikave të qëndrueshme ligjore dhe institucionale në një shtet multietnik.
“Në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut, elitat shoqërore, veçanërisht klasa politike, duhet të punojnë vazhdimisht për politika që reflektojnë karakterin multietnik dhe frymën e diversitetit në çdo sferë të shoqërisë,” tha Mexhiti.
Ai kritikoi ligjet aktuale gjysmake në politikën gjuhësore, duke theksuar se “ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake”. Sipas tij, protesta e studentëve është një thirrje për vetëdijësim dhe për angazhim të të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë për zgjidhje më të mira ligjore dhe politika afatgjata institucionale.
“Protestat studentore gjithmonë janë alarm për dukuritë shoqërore që strukturat politike kanë për obligim t’i trajtojnë në tërësi. Në vend të politizimit, bëj thirrje për ndërgjegjësim,” tha Mexhiti.



