Kurti paralajmëron kompromis për presidentin

Kryeministri thekson nevojën për stabilitet politik dhe përmbushje të obligimeve kushtetuese, ndërsa paralajmëron takime dhe vendime jo të lehta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 11-të e Qeverisë, ka paralajmëruar gatishmëri për kompromis në procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja.

banner

Ai u shpreh se Kosova po i afrohet një afati kushtetues të rëndësishëm dhe se zgjedhja e presidentit është detyrim që kërkon bashkëpunim politik. Sipas tij, nuk ka parti që mund të sigurojë 80 deputetë, andaj dialogu dhe kompromisi janë të domosdoshëm për një zgjidhje të qëndrueshme.

Kurti theksoi se qytetarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre në zgjedhjet e fundit dhe se institucionet duhet të respektojnë këtë vullnet duke garantuar stabilitet dhe parashikueshmëri. Ai shtoi se zgjedhjet e reja nuk do të sillnin ndryshime të mëdha, por vetëm kosto shtesë prej së paku 10 milionë euro për KQZ-në.

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis, dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se fiton 80 deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicine të zhvillohen bisdime të sinqerta, me interesin për vendin tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje që i përgjigjet vullnetit qytetar,shteti ynë ka nevojë për stabilitet veçmas në këtë kohë të trazuar. Por përtej kësaj, ka nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri, sepse qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre më 28 dhjetor, 113 ditësh. Qytetarët votuan për 4 vjet, dhe në përputhje me vullnetin e tyre do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030. Jemi të bindur që zgjedhjet e reja nuk sjellin ndryshime të mëdha, të krijojë shpenzime nga së paku 10 milionë euro për KQZ-në.”, tha Kurti.

Gjatë ditës, Kurti pritet të zhvillojë takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje.

Duke folur për zhvillimet ekonomike, ai njoftoi se Komisioni Evropian ka nisur transferimin e 61 milionë eurove në kuadër të Planit të Rritjes, ku një pjesë do të shkojë si kredi dhe pjesa tjetër për projekte konkrete infrastrukturore. Ai theksoi rëndësinë e miratimit të ligjeve për të siguruar përfitimin e fondeve të ardhshme.

Kurti u ndal edhe te Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se ai është hap i rëndësishëm drejt forcimit të drejtësisë dhe luftimit të pasurisë së paligjshme. Ai ritheksoi se parulla “rroga e vogël fitimi i madh” do të marrë fund me funksionalizimin e këtij institucioni.

Në fushën e sigurisë, kryeministri përmendi aksionet në veri të vendit kundër grupeve kriminale dhe strukturave paraushtarake. Ai tha se shteti ka arritur të shtrijë sovranitetin dhe të konfiskojë armatim në disa lokacione.

Kurti përshëndeti edhe arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin në Banjskë, duke theksuar se drejtësia do të plotësohet vetëm kur Milan Radoiçiq të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ai shtoi se lufta kundër krimit të organizuar po vazhdon pa kompromis, duke përfshirë edhe aksione kundër drogës dhe bixhozit në disa qytete të vendit.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.