Rama, Remi, Mahmuti: Nisin sulmet ndaj Dritan Goxhajt, ish-ushtarit të UÇK-së që lexoi kërkesat në Tiranë – e lidhin me Iranin dhe ia mohojnë luftën

Mbrëmë Dritan Goxhaj, ish-ushtar i UÇK-së, doli në krye të protestës në Tiranë për të lexuar pesë pika, të cilat morën bekimin e dhjetëra mijëra protestuesve, që nuk hoqin dorë nga protesta tash e më shumë se tre javë. Protestat tashmë janë kthyer në një fuqi kundërshtuese ndaj Edi Ramës, Sali Berishës, PS-së dhe krejt estabilishmentit politik, ekonomik e deri diku edhe mediatik të Shqipërisë pas komuniste.Megjithatë, në rrjet tashmë po vërehen sulme ad hominem, pra sulme personale, ndaj Goxhajt, i cili ishte arrestuar me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë nën dyshimin për zbulim të dëshmitarëve. Goxhaj ishte i pari shqiptar nga Shqipëria ndaj të cilit u lëshua urdhërarrest.

Autor: Mirlind Behluli

banner

Sulmet nga pushteti i Tiranës

Menjëherë pasi i lexoi pesë kërkesat, Goxhaj nisi të përballej me përbaltosje. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, të cilët protestuesit ia kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme, e lidhi Goxhajn me Iranin.

“Si thoshin derrat e knaqun migjenianë të segmentit “intelektual” të protestës, nuk ka lidhje Irani ëëë….?¿

Mos harroni çfarë ju kam thënë qysh në fillim: Dy fitimtarë do dalin kur kësaj proteste t’i bien të tëra puplat fallco të flamingove, Partia Socialiste që do të bëhet më e fortë dhe qeverisja jonë që do të përmirësohet shumë ndjeshëm, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” – shkroi Rama, duke publikuar edhe një video, që dukej e edituar në një formë për të denigruar personalitetin e Goxhajt.

Të njejtën video e publikoi edhe Taulant Balla, një politikan i Partisë Socialiste, që ndër vite ka pasur një statur pro UÇK-së. Megjithatë, duket se lufta e Goxhajt nuk i la përshtypje të madhe kryedeputetit të PS-së, pra Taulant Ballës.

“Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë. E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë” – ka shkruar Balla, ndër të tjera.

Radikalizmi anti Goxhaj, Mahmuti hy në skenë me “kapsllëk”

Një hap më tutje kanë shkuar disa shqiptarë jashtë kufirit zyrtar të Shqipërisë londineze. Më saktë, Bardhyl Mahmuti, një ish-përfaqësues i UÇK-së, foli me një ton të rëndë, duke e shënjestruar Goxhajn dhe mohuar kontributin e tij në luftë. Duke shkruar me “kapsllëk” të ndrydhur, pra me shkronja të mëdha, konkludoi se “SIMBOLI I UÇK-SË NUK E KA VENDIN NË PROTESTAT E TIRANËS!”.

Madje, Mahmuti nxori nga arkivi i pluhurosur një dokument të Qeverisë së Përkohshme, që udhëhiqej nga ish-kryeministri Hashim Thaçi në vitin 1999. Për më shumë, teksti ishte i redaktuar dhe në fund i nënshkruar pa emër e mbiemër, por vetëm me nofkën e Komandant Plakut, me të cilën njihej tashmë i ndjeri Xheladin Gashi, një figurë e njohur e luftës.

“Sado legjitime të jetë shprehja e pakënaqësive nga ana e qytetarëve në Republikën e Shqipërisë, përzgjedhja e një shpirti mercenar për të qenë zëdhënës i protestës është domethënëse për natyrën e “Shqipërisë së re” që e dëshiron “grupi koordinues i protestave” – shkroi Mahmuti, ndër të tjera.

Në fakt, Mahmuti bie në kontradiktë logjike të hatashme. Përderisa me “kapsllëk” shkruan se simboli i UÇK-së nuk e ka vendin në protestat e Tiranës, Mahmuti e hap arkivin e UÇK-së – nuk dihet pse vazhdon të ketë qasje edhe pas 27 viteve dhe pse ky arkiv nuk i është dorëzuar në tërësi shtetit të Kosovës si trashëgimi e luftës – për ta sulmuar përmes një dokumenti të redaktuar të UÇK-së një ish-ushtar të UÇK-së.

Krejt kjo ndërmarrje e Mahmutit ngjan në një përpjekje dëshpëruese për ta delegjitimuar protestën e dhjetëra mijëra shqiptarëve dhe për t’ia lehtësuar paksa jetën politike Edi Ramës. Në këtë kontekst, a mund të konsiderohet keqpërdorim i arkivës së UÇK-së nga ana e Mahmutit për të dëmtuar imazhin e protestës së shqiptarëve kundër Edi Ramës?

Në këtë debat u përfshi edhe një ish-komandant tjetër. Rrustem Mustafa, ish-komandant Remi, i rizgjedhur deputet i PDK-së, e publikoi një fotografi të Goxhajt, duke e komentuar shkurtimisht fotografinë.

“Përfundimi i protestimit” – shkroi Remi, i njohur edhe për një trajtesë në formë libri me një pyetje “Në Evropë apo Europë?”.

Përmes 22 shkronjave dhe në një frymë fukujamiste, Mustafa kumtoi fundin e protestës. Pra në një kuptim fundin e historisë së revoltës më të madhe ndaj Ramës dhe krejt estabilishmentit politik në Shqipëri.

Këto reagime janë krejt e kundërta e kërkesës së lashtë për të mos e vrarë lajmëtarin, nëse i intereson ndokujt kjo urtësi pereniale. Sidoqoftë, çfarë kërkuan protestuesit?

Deklarata e plotë:

Grupi Koordinues i Protestës

Në emër të Grupit Koordinues të Protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit, si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të Kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime Kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:

• Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

• Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

• Kufizimin e ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, kërkojmë:

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

• Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

• Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

• Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

5. Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.